Në këto ditë gushti kur temperaturat janë të larta mjekët japin këshilla për kujdesin e të gjitha grupmoshave. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale këshillat e mjekëve, ndërsa u kërkoi qytetarëve t’i ndjekin ato në mënyrë që të shmangin efektet shëndetësore negative nga temperaturat e larta. Pini sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin. Rekomandohet të pini të paktën 8 gota ujë në ditë. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 18:00. Vishuni me rroba të lehta dhe të lirshme, rekomandohen rroba me ngjyra të çelura dhe materiale të lehta prej pambuku. Përdorni krem dielli me faktor mbrojtës të lartë dhe aplikojeni në të gjitha pjesët e trupit që janë të ekspozuara ndaj diellit, veçanërisht në fytyrë, krahë dhe këmbë. Konsumoni ushqime të freskëta dhe të lehta, kryesisht rekomandohet fruta dhe perime të freskëta, sallata dhe ushqime të pasura me ujë.