Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçakut për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit.
Gërvalla e konsideron të domosdoshme që strukturat e reja të Bashkimit Evropian të kenë qasje ndryshe dhe të balancuar, siç thotë nga dialogu i dështuar i Lajçak.
Kryediplomatja Gërvalla në një intervistë për KosovaPress thotë se drafti i asociacionit në formën aktuale, i shkëputur nga pakoja e Brukselit nuk mund të procedohet, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe kushteve që mund të jenë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Si zgjidhje të duhur ajo e konsideron mundësinë që BE këtë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim. Megjithatë, ajo thotë se janë të gatshëm të ulen me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, në mënyrë që qeveria të hartojë një draft-statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ministrja e Punëve të Jashtme kërkon nga aleatët ndërkombëtar të Kosovës që të marrin parasysh propozimin e Kosovës për hartimin e një draft-statutit të asociacionit.
Miirëpo ajo shton se pas kësaj mosgatishmërie të aleatëve të Kosovës për të trajtuar këtë temë, tashmë as qeveria s’ka optimizëm për t’i hyrë kësaj rruge. Siç vlerëson ajo, nëse oferta e palës kosovare nuk merret parasysh, atëherë ajo nuk mund të jetë përjetësisht aty.
Sipas saj, aleatët e Kosovës zyrtarisht asnjëherë nuk i kanë kërkuar Kosovës të hartojë një draft për asociacionin, por gjithmonë ka qenë në suaza të arritjes së një dakordimi në Bruksel.
Gërvalla kërkon nga BE-ja që draftin e asociacionit ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim.
Duke folur për dialogun me Serbinë dhe ndryshimin e qasjes së Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve europarlamentare, ajo thotë se është e rëndësishme se çfarë ka ndodhur me dialogun në tri vjetët e kaluara të mos përsëritet.