Politikani dhe aktivisti francez Patrick Lozes tha se qeveria franceze injoron problemet e shkaktuara nga racizmi në vend, ndonëse nëntë nga 10 persona me ngjyrë në Francë raportojnë se i janë ekspozuar diskriminimit. Lozes gjithashtu është themelues dhe president i Këshillit Përfaqësues të shoqatave të personave me ngjyrë (CRAN). Në një intervistë ai dha vlerësime mbi racizmin dhe diskriminimin me të cilin përballen çdo ditë personat me ngjyrë në Francë. Duke përmendur një sondazh të kryer nga kompania e pavarur kërkimore Ipsos për njerëzit me ngjyrë në Francë, Lozes tha: “Ajo që pjesëmarrësit e sondazhit thonë, është se ka diskriminim në shumë fusha të jetës. Një shumicë dërrmuese, 91 për qind e personave me ngjyrë në Francë, thonë se janë të ekspozuar ndaj diskriminimit në jetën e përditshme. Kjo do të thotë se diskriminimi është një shqetësim i madh për pothuajse çdo francez me ngjyrë”. Ai theksoi njerëzit me ngjyrë përballen me diskriminim kur kërkojnë shtëpi apo punë. “Kur telefononi dhe thoni se doni një shtëpi, personi me të cilin po flisni ju thotë në telefon se shtëpia është në dispozicion, por kur ai e kupton se je me ngjyrë, mund të thotë që shtëpia nuk është në dispozicion. Ju nuk do të promovoheni. Kur aplikoni për një vend pune, dërgoni CV-në tuaj dhe pak minuta më vonë njoftoheni se pozicioni tashmë është i plotësuar. Megjithatë, pozicioni është ende i hapur për dikë tjetër që ka aplikuar për të njëjtin pozicion disa minuta pas jush”, tha Lozes. Lozes nënvizoi më tej se diskriminimi ndodh edhe në shërbimet më elementare, siç është transporti publik, duke shtuar se disa francezë mendojnë se “personat me ngjyrë duhet jenë pas tyre” kur hipin në autobus ose tren.