Përkundër kërkesës së emisarit të Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje për 10 muaj të vendimit për regjistrimit të targave në RKS-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se afati i fundit për regjistrimin e veturave në targa legjitime është 31 tetori. Ai bëri thirrje tek të gjithë qytetarët e Kosovës nga përkatësia serbe t’i kthejnë targat në RKS-së. Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022’’, organizim ky i The Economist në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. “Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë me 1 tetor është shtyrë me 1 nëntor, ose më mirë të them se në vend që të jetë 30 shtator, data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të stërvjetëruara KM, PR e të ngjashme, trashëgimi e kohës së Millosheviqit t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS, me ç’ rast edhe të përfitojnë financiarisht nga lehtësimet tatimor, pa taksën doganore, pa akcizën dhe pa TVSH-në. Andaj, unë edhe njëherë iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe që ato vetura që janë me targat e stërvjetëruara t’i konvertojnë në legale dhe legjitime. Janë më pak se 10 mijë vetura të tilla, shumica e targave që kanë serbët në Kosovës tashmë janë të konvertuara”, tha ai. Kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh po ashtu se ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk është as hakmarrje e as inat por janë masa që ofrojnë lehtësime financiare dhe barazi. Ai tha se sugjerimet e partnerëve ndërkombëtar i marrin me seriozitet, dhe se janë të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. “Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer as dijen tonë as kohën as energjinë tonë gjithandej, këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi këto janë masa për serbët masa të cilat atyre iu ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që të jemi të gjithë të barabartë nuk mund të jemi të barabartë në Republikë nëse dikush ka targa RKS e dikush dëshiron t’i mirëmbajë ato KM. Pra, nuk është as hakmarrje, as urrejtje, as inat është zbatimi i ligjit është rendi janë vendime qeveritare që nuk i diskriminojnë njerëzit në bazë të përkatësisë etnike përkundrazi dëshirojnë t’i bëjnë të gjithë të barabartë në Republikë. Përveç që jemi të interesuar të respektohet rendi ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm të mos rrezikohet paqja dhe siguria andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, theksoi Kurti. Tutje ai tha se në vazhdimësi është në koordinim me ministrin e Punëve të Brendshme në Kosovës, komandantin e KFOR-it dhe Departamentin Amerikan. Kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se fushata e Kosovës për konvertimin e targave po ballafaqohet me një fushatë negative dhe dhunë kriminale që si burim e ka Beogradin. Ai theksoi se këto veprime nuk do të tolerohen nga Qeveria e Kosovës. “Nuk duam asnjëherë që t’i befasojmë aleatët, miqtë dhe partnerët tanë, ne duam t’i befasojmë kriminalët që nuk i ndajmë sipas përkatësisë etnike. Por qytetarët serb në Kosovë që kanë ngelur me ato targat e vjetra edhe njëherë iu bëjë thirrje përfitoni nga mundësia për lehtësime financiare…Problemi më i madh që po na shkaktohet në fushatën tonë për t’i konvertuar targat nga ato ilegale të kohës së Millosheviqi në të Republikës së Kosovës është fushata negative që e ka burimin në Beograd, por edhe aktet kriminale të dhunës ndaj disa prej personave serb që i kanë konvertuar targat në RKS-së, këto akte të dhunës së Serbisë i kanë shkaktuar disa serb në Kosovë në vend që të konvertojnë targat në RKS-së t’i konvertojnë në ato të Serbisë….Kjo kampanjë negative për konvertimin e targave RKS në dhe dhuna kriminale që përdoret ndaj serbëve të cilët integrohen, janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovës do të jenë të pa tolerueshme dhe sigurisht që herët a vonë do të ndëshkohen“, theksoi Kurti.http://ata.gov.al/2022/10/25/kurti-31-tetori-data-e-fundit-per-konvertimin-e-targave-ne-rks/
31 tetori, data e fundit për konvertimin e targave në RKS
RELATED ARTICLES