Gjatë muajit Mars dhjetra hektar pyje me dushqe dhe kullota janë djegur nga zjarret në të gjithë Qarkun e Dibrës. Por situata vijon të mbetet problematike. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se aktualisht në këtë qark janë 20 vatra zjarri aktive me të cilat po përballen specialistët zjarrfikës të pushtetit vendor. Sipas Shehut në disa raste zjarret janë vënë nga pakujdesia pasi fermerët i kanë ndezur ato për të pastruar kullotat apo tokat bujqësore, por ka p-atur edhe raste të qëllimshme. Nga ana tjetër, prefekti Nexhbedin Shehu tha se Bashkitë e Qarkut Dibër kanë ndërhyrë në të gjitha vatrat e zjarreve të shfaqura, por shuarja e tyre ka qenë e vështirë për shkak të mungesës së rrugës për mjetet zjarrfikëse. Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu ju bëri apel banorëve të këtij qarku që të angazhohen në situata të tilla, duke ju bashkuar grupeve të zjarrfikësve apo punonjësve të tjerë të bashkive.