1 euro biletë për të hyrë në xhaminë e Et’hem Beut

0
7

Kritikat e besimtarëve myslimanë dhe një pjese të qytetarëve lidhur me vendimin për të paguar 1 euro biletë për të hyrë në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, ka sjellë edhe sqarimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. KMSH sqaron se kjo biletë 1 euro nuk është detyruese as për besimtarët, qytetarët dhe turistët, por është një pagesë vullnetare që bëhet nga çdokush që dëshiron të vizitojë xhaminë. Këto para tha KMSH do të shkojmë për mirëmbajtjen e xhamisë. Në rrjetet sociale u tha se hyrja në xhaminë e Et’hem Beut është bërë kundrejt pagesës, por KMSH tha se kjo nuk është e vërtetë pasi hyrja është falas për të gjithë besimtarët dhe qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë xhaminë. Sipas KMSH bileta është një iniciativë e myftinisë në koordinim me operatorët turistikë, që zhvillojnë guida me turistët e huaj në Tiranë, megjithatë asnjë turist nuk detyrohet ta paguajë atë, është thjesht kontribut vullnetar. “Sqarojmë: 1-Besimtarët dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që duan të vizitojnë Xhaminë Et’hem Beu mund ta vizitojnë atë lirisht, të kryejnë adhurime dhe të sodisin bukuritë e saj të rralla siç kanë bërë për shekuj. 2-Bileta në fjalë është një iniciativë e myftinisë në koordinim me operatorët turistikë, që zhvillojnë guida me turistët e huaj në kryeqytetin tonë. Ajo nuk është detyrim dhe nuk pengon vizitën në xhami. Asnjë turist nuk detyrohet ta paguajë atë, është thjesht kontribut vullnetar, gjë e cila është mirëpritur nga çdokush. 3-Duke qenë se kjo është një praktikë e njohur botërisht, Myftinia Tiranë ndërmori këtë nismë për të shërbyer si ndihmë modeste për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Xhamisë të sapo restauruar të Ethem Beut. 4-Duke marrë përgjegjësinë për moskoordinimin, njoftimin dhe sqarimin e detajuar rreth kësaj çështjeje, hedhim poshtë çdo keqinterpretim, manipulim dhe shpifje të stisur pasditen e sotme. Ndërkohë nisma në fjalë s’ka të bëjë aspak me besimtarët, që vinë të falen në xhami. Xhamia Et’hem Beu ka qenë gjithmonë dhe është e hapur pa pagesë për të gjithë besimtarët dhe qytetarët”, thuhet në reagimin e xhamisë së Et’hem Beut. Xhamia e Et’hem Beut është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948. Kjo xhami është simboli i kryeqytetit shqiptar dhe së fundi i është nënshtruar një rikonstruksioni total.https://lajme.rtsh.al/artikull/1-euro-bilete-per-te-hyre-ne-xhamine-e-et-hem-beut-kmsh-jo-detyruese-kontribut-vullnetar-per-mirembajtjen