Kredia për bizneset ka shfaqur përmirësim të ritmeve të rritjes në tremujorin e dytë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar sot mbi aktivitetin kreditues në vend gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2022. Sipas BSH-së, zgjerimi i portofolit të kredisë për bizneset e mesme dhe të mëdha ka kompensuar tkurrjen e portofolit të biznesit të vogël. Këto zhvillime janë reflektuar në norma më të larta të rritjes së kredisë në lekë dhe ruajtjen e niveleve të larta të kreditimit në valutë. Megjithatë, shtimi i pasigurive dhe shqetësimet mbi dobësimin e mundshëm të aktivitetit ekonomik me zgjatjen e konfliktit në Ukrainë, kanë diktuar shtrëngimin e standardeve të kreditimit nga bankat për bizneset, si dhe shtrenjtimin e kostos së kredisë në segmente të caktuara. Financimi i bizneseve nga bankat është rritur me ritme të larta në tremujorin e dytë të vitit. Norma vjetore e rritjes së këtij portofoli prej 12%, ka ndjekur trajektoren pozitive të nisur një vit më parë me rikthimin e normalitetit ekonomik pas pandemisë. Dinamika tremujore tregon se ky portofol është rritur me rreth 11 miliardë lekë. Zgjerimi i kredisë për biznese është vërejtur në segmentin e biznesit të mesëm dhe të atij të madh, ndërkohë që ka rënë financimi për bizneset e vogla dhe është ngadalësuar për ato mikro. “Të dy këto segmente janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj pasigurisë dhe rrezikut të shtuar në kushtet e realitetit të ri makroekonomik. Kështu, kredia për biznesin e mesëm shënoi një rritje vjetore rreth dy herë më shumë se në tremujorin e parë. Ndërkohë, kreditimi i biznesit të madh ka mbajtur norma të qëndrueshme rritjeje, por në ndryshim nga biznesi i mesëm kjo rritje ka qenë kryesisht në valutë”, theksoi BSH-ja.https://ata.gov.al/2022/08/17/zgjerohet-me-11-miliarde-leke-kredia-per-bizneset/