Tanket e para amerikane ”Abrams” kanë mbërritur në Ukrainë dhe tashmë janë duke u përgatitur për vendosje, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram. Në total, Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar dërgimin e 31 tankeve të këtij lloji në Ukrainë. Zelenskiy nuk dha detaje mbi numrin e tankeve amerikane tashmë në vend. Ai falënderoi aleatët për ndihmën e tyre të armatosur. Shtetet e Bashkuara konsiderohen si mbështetësi më i rëndësishëm ushtarak i Kievit. Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022, ndihma ushtarake e SHBA-së për Ukrainën ka arritur në 43.9 miliardë dollarë, sipas të dhënave të qeverisë. Kohët e fundit, u autorizuan armë dhe pajisje me vlerë 128 milionë dollarë nga rezervat ushtarake amerikane. Raketat ATACMS, me rreze veprimi deri në 300 kilometra, të kërkuara gjatë nga Kievi, nuk ishin përfshirë.