Zef Serembe, poeti me shpirt të trazuar

0
2

Zef Serembe, është poet lirik arbëresh. Ai lindi më 6 mars të vitit 1843 në Strigar të Kozencës. Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim de Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Që herët u lidh me Lëvizjen Garibaldi dhe më vonë me lëvizjen çlirimtare në Shqipëri. Ngjarjet politike shoqërore në Itali, pas bashkimit të saj, e zhgënjyen rëndë dhe bashkë me fatkeqësitë vetjake (vrasja e të ungjit, vdekja e së dashurës), i shkaktuan krizë të thellë shpirtërore.

Në këtë gjendje, më 1875 mori udhën për Brazil, në kërkim të varrit të vajzës së dashur, por pa kaluar moti kthehet në vendlindje, ku vazhdon të mos gjejë prehje. I tronditur shpirtërisht, merr rrugën e mërgimit dhe e mbyll jetën, në San Paolo të Brazilit, më 1901. Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama). Zef Serembe është poet i frymëzuar spontan. Ai lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi për luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora D’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta.

Një vjershë e tij u publikua në gazetën “Arbri i Ri”, të drejtuar prej publicistit të shquar arbëresh, Zef Skiroi. 39 prej vjershave të shkruara në shqip, u botuan pas vdekjes së tij në përmbledhjen “Vjersha”, në Milano, në vitin 1926. Gama e veprës së tij përfshin lirika melodioze për dashurinë, himne për vendlindjen, vjersha për miqësinë, për natyrën, për religjonin. Në mesin e lirikave që i kushtohen atdheut, veçohen ato të thurura për Ali Pashë Tepelenën dhe Dora D’Istrias.