Një rubin gjigant prej 11 000 karatësh është zbuluar në Myanmar, njoftuan mediet shtetërore duke e cilësuar atë si një nga gurët më të mëdhenj të çmuar të gjetur ndonjëherë në vendin e njohur për pasuritë e tij minerale.
Udhëheqësi i grushtit të shtetit dhe presidenti aktual, Min Aung Hlaing, u fotografua në faqen e parë të gazetës shtetërore “Global New Light of Myanmar”, teksa shqyrtonte gurin 2,2 kilogramësh në zyrën e tij.
Sipas deklaratës së qeverisë, rubini u zbulua në zonën e Mogok dhe ai është “jashtëzakonisht i madh, i rrallë dhe i vështirë për t’u gjetur”.
Sipas autoriteteve, guri ka një ngjyrë të kuqe në vjollcë me nuanca të verdha dhe konsiderohet me cilësi shumë të lartë për sa i përket ngjyrës dhe pastërtisë.
Megjithëse më i vogël se një rubin prej 21 450 karatësh i zbuluar në të njëjtën zonë në vitin 1996, guri i fundit konsiderohet më i vlefshëm për shkak të cilësisë më të mirë të ngjyrës, kthjelltësisë dhe strukturës së përgjithshme.
Qeveria nuk dha një vlerë të saktë financiare.
Rajoni i Mogokut, në pjesën qendrore të vendit, është i famshëm për rubinët e njohur si “pigeon-blood”, ndër më të kërkuarit dhe më të shtrenjtët në botë.
Për shekuj me radhë, sundimtarë dhe luftëtarë kanë luftuar për kontrollin e kësaj zone të pasur me gurë të çmuar.





