Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), zhvilloi sot seminarin me temë: “Zbatimi i Pronësisë Intelektuale në tregun e brendshëm”, në kuadër të projektit “TAIEX”. Seminari i sotëm kishte si qëllim fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të Pronësisë Intelektuale. Ekspertë të Zyrave të Pronësisë Intelektuale, të Gjermanisë, Danimarkës dhe Hungarisë, krahas prezantimit të direktivave dhe standardeve europiane në këtë fushë, sollën dhe praktikat më të mira dhe përvojat nga Inspektoratet e vendeve të tyre në mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale. Nëndrejtoresha e ISHMT-së, Valbona Jaupllari, në fjalën e saj, në nisje të punimeve të seminarit, theksoi se puna është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit për bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale. Jaupllari vuri në dukje se aktiviteti i këtij institucioni mbështetet në dy shtylla kryesore, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale. “Synimi ynë është kryerja me efikasitet e inspektimeve për zbatimin e të drejtave të Pronësisë Intelektuale. Për periudhën janar-shtator të këtij viti, janë kryer 35 inspektime për Pronësinë Industriale, 178 inspektime mbi të Drejtat e Autorit për kategorinë përdorues të programeve kompjuterike dhe shtëpi botuese”, deklaroi Jaupllari. Roger Hildebrandt, nga Zyra Gjermane e Patentave dhe Markave Tregtare Hildebrandt ndau praktikat më të mira gjermane në fushën e Pronësisë Intelektuale. Po ashtu, Peter Labody, nga Zyra e Pronësisë Intelektuale të Hungarisë solli eksperiencën e tij mbi administrimin e të drejtave të Pronësisë Intelektuale. Edhe Janne Hedegaard, nga Zyra e Patentave ndau parimet e zbatimit të Pronësisë Intelektuale në treg dhe foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve. ISHMT ka kryer një sërë aktivitetesh sensibilizuese me aktorë në treg për ndërgjegjësimin e operatorëve ekonomikë mbi respektimin e të drejtave të Pronësisë Intelektuale. Ashtu sikundër është fokusuar në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale me marrëveshje bashkëpunimi të realizuara ose në proces me AKEP, DDA/MK, DPPI, etj. Ndër të tjera, inspektorët diskutuan mbi problematikat e hasura përgjatë inspektimeve të kryera deri më tani dhe instrumenteve ligjorë që mundëson legjislacioni shqiptar. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit për bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale. Promovimi dhe edukimi i shoqërisë dhe i institucioneve për të drejtat e Pronësisë Intelektuale janë shumë të rëndësishme për të siguruar që krijuesit dhe novatorët i njohin të drejtat e tyre dhe e dinë që veprat, krijimet dhe novacionet e tyre janë të mbrojtura dhe mund të mbrohen. Së fundmi janë miratuar disa ndryshime ligjore në ligjin “Për pronësinë industriale”, të cilat i mundësojnë ISHMT-së një numër më të lartë inspektimesh në këtë fushë dhe rregullimin e tregut të brendshëm nga mallrat e falsifikuara.https://ata.gov.al/2022/09/15/rritje-e-kapaciteteve-njerezore-per-mbrojtjen-e-te-drejtave-te-pronesise-intelektuale/