Teknikat e relaksimit mund të ndihmojnë në uljen e shpejtë të presionit të lartë të gjakut, sugjeron një hulumtim.

Ekspertët zbuluan se teknikat e relaksimit si tai chi, yoga, meditimi apo ushtrimet e kontrollit të frymëmarrjes ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut.

Megjithatë, ata sugjeruan se cilësia e provave të përgjithshme është e dobët dhe nevojitet ende më shumë punë.

Pak më shumë se një e katërta e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar – që barazohet me rreth 14,4 milionë njerëz – mendohet se kanë presion të lartë të gjakut.

Gjendja është shumë e zakonshme, veçanërisht tek njerëzit e moshuar dhe shpesh nuk ka simptoma.

Tek ata nën 80 vjeç, presioni i lartë i gjakut klasifikohet si me tregues 140/90 ose më të lartë kur kontrollohet nga një profesionist i kujdesit shëndetësor ose 135/85 ose më i lartë kur kontrollohet në shtëpi.

Për njerëzit e moshës mbi 80 vjeç, presioni i lartë i gjakut klasifikohet si 150/90 ose më i lartë kur kontrollohet nga një profesionist i kujdesit shëndetësor ose 145/85 ose më i lartë kur kontrollohet në shtëpi.

Për kërkimin e ri, një ekip nga universitetet e Exeterit dhe Bristolit ekzaminoi rezultatet nga 54 studime ekzistuese mbi këtë çështje.

Ata zbuluan se, në ndjekjen afatshkurtër (tre muaj ose më pak), shumica e ndërhyrjeve relaksuese dukej se kishin një efekt të dobishëm në presionin e gjakut.

Krahasuar me njerëzit që nuk bëjnë asgjë, kanë kujdesin e tyre të zakonshëm ose janë në listën e pritjes për trajtim, u gjetën reduktime të moderuara të presionit sistolik të gjakut (numri më i lartë në një lexim) për kontrollin e frymëmarrjes (zakonisht 6.65 mm Hg), meditim (7.71 mm Hg), lëvizje meditative duke përfshirë tai chi dhe yoga (9.59 mm Hg), vëmendje (9.59 mm Hg) dhe relaksim progresiv të muskujve (7,46 mm Hg).

”Reduktime u panë edhe për presionin diastolik të gjakut”, thanë studiuesit.

Ekipi, duke shkruar në revistën ”BMJ Medicine”, arriti në përfundimin se “rezultatet e studimit tonë treguan se shumë ndërhyrje relaksuese tregojnë premtime për uljen e presionit të gjakut në afat të shkurtër, por efektet afatgjata janë të paqarta”.

Shumica e njerëzve nuk e dinë se kanë presion të lartë të gjakut, por simptomat përfshijnë dhimbje koke, shikim të paqartë dhe dhimbje gjoksi.