Një foto mallëngjyese e një djali palestinez nëntë vjeçar, i cili humbi të dy krahët ndërsa i ikte një sulmi izraelit në Gaza, fitoi sot çmimin e parë në ”World Press Photo 2025”.
Imazhi, i kapur nga fotografja palestineze Samar Abu Elouf për ”The New York Times”, është një portret i Mahmoud Ajjour, i evakuuar në Doha pasi një shpërthim i preu njërin krah dhe gjymtoi tjetrin vitin e kaluar.
“Një nga gjërat më të vështira që ma shpjegoi nëna e Mahmud ishte se kur Mahmoud kuptoi se i ishin prerë krahët, gjëja e parë që ai i tha asaj ishte “si do të të përqafoj tani?”, tha Elouf.
Me origjinë nga Gaza, fotografja u evakuua gjithashtu në dhjetor 2023.
Ajo tani bën portrete të palestinezëve të plagosur rëndë nga lufta, që jetojnë në Doha.
“Është një foto e heshtur, por flet me zë të lartë. Tregon historinë e një djali, por edhe të një lufte më të madhe që do të ndikojë në brezat e ardhshëm”, tha Joumana El Zein Khoury, drejtoreshë ekzekutive e ”World Press Photo”.
Juria vlerësoi “përbërjen e fortë dhe vëmendjen ndaj dritës” të fotografisë, si dhe temën e saj që provokon mendime, veçanërisht pyetjet për të ardhmen e Mahmoud.
”Djali tani po mëson të luajë në telefonin e tij, të shkruajë dhe të hapë dyert me këmbët e tij”, tha juria.
“Mahmoud ka një ëndërr shumë të thjeshtë: ai dëshiron të marrë proteza dhe të jetojë jetën e tij si çdo fëmijë tjetër,” thanë organizatorët e ”World Press Photo” në një deklaratë.
Juria analizoi 59 320 fotografi të bëra nga 3 778 fotoreporterë për të zgjedhur 42 fotot e vlerësuara nga e gjithë bota