Thursday, February 13, 2025
HomeSOCIALEEKONOMIWisner në Kukës: Presim përparim për hidrocentralin e Skavicës

Wisner në Kukës: Presim përparim për hidrocentralin e Skavicës

I Ngarkuari me Punë në ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, David Wisner dhe stafi i ambasadës vizituan Kukësin ku ndër të tjera shprehu interes për një projekt të shumëdebatuar në vendin tonë, siç është hidrocentrali i Skavicës.

Në një prononcim për mediet, Wisner theksoi se “jemi shumë të interesuar për më shumë investime amerikane dhe qartazi të inkurajojmë që investime nga Shqipëria të vijnë drejt SHBA-së”.

“Ne jemi thellësisht të fokusuar në tre çështje madhore, ndërtimi i lidhjeve të mbrojtjes, rritja e lidhjeve të biznesit dhe të punojmë me Shqipërinë, ndërsa ajo punon përpara me demokracinë. Dhe sigurisht vendin e rëndësishëm që luan reforma në drejtësi. Ne mbështesim të gjithë bizneset amerikane ndërsa ato eksplorojnë mundësitë këtu dhe presim me kënaqësi të shohim përparim”, theksoi Wisner.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, në lidhje me projektin e hidrocentralit të Skavicës, tha se në muajin qershor pritet të nisë puna për ndërtimin e rrugës drejt kantierit të hidrocentralit.

“Është një investim madhor, strategjik që do t’i vijë në ndihmë bashkisë së Kukësit lidhur me punësimin dhe zhvillimin e turizmit”.

Gjatë vizitës në Kukës, Wisner u takua me punonjësit socialë të Njësisë Lëvizëse për Identifikimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (TIP), e krijuar nga streha “Tjetër Vizion”.

Wisner falënderoi qendrën për rolin e saj vendimtar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e shfrytëzimit.

Ai vuri në dukje rëndësinë e rritjes së financimit dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë së këtyre njësive, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese.

Wisner u takua gjithashtu me drejtuesen në detyrë të Prokurorisë së Kukësit, Enkeleda Hoxha dhe Koordinatoren e Viktimave, Eglantina Cengu, për të nënvizuar punën e tyre të madhe në mbështetjen e të drejtave të viktimave në Shqipëri.

Ai i falënderoi ata për përkushtimin e tyre ndaj drejtësisë në rrethana sfiduese dhe theksoi mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për përpjekjet e tyre për të çuar përpara reformën në drejtësi në Shqipëri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments