Gazetat amerikane “Washington Post”, “Wall Street Journal” dhe “New York Times” ishin ndër fitueset kryesore të çmimeve “Pulitzer” të këtij viti – duke vlerësuar gazetarinë e shquar.

“Washington Post” mori çmimin për “Raportimin e Lajmeve të Fundit” për mbulimin e tentativës së vrasjes së kandidatit të atëhershëm presidencial të SHBA-së, Donald Trump.

“Wall Street Journal” fitoi çmimin “Pulitzer” për “Raportimin Kombëtar” lidhur me ngritjen e shpejtë të miliarderit të teknologjisë, Elon Musk në politikën amerikane.

“New York Times” kryesoi me katër çmime. Ekipi i saj ndërkombëtar u njoh për “Raportimin e Luftës Civile në Sudan”, ndërsa gazetarët e saj vendas u vlerësuan për “Raportimet mbi rritjen e vdekjeve nga droga midis komuniteteve me ngjyrë në Baltimor, Marilend”.

“Times” gjithashtu mori çmimin për “Raportimin Shterues” për hetime të thelluara në operacionet ushtarake amerikane në Afganistan.

Doug Mills, fotografi i “New York Times”, u vlerësua për fotografitë e tij gjatë tentativës së për vrasje ndaj Trump, duke përfshirë një foto ku plumbi kapej në ajër.

Agjencia e lajmeve “Reuters” mori çmimin “Pulitzer” për “Raportimin Investigativ”, për gazetarinë hetimore lidhur me ndikimin vdekjeprurës të drogës, fentanil.

Gazetarja, Ann Telnaes u vlerësua në kategorinë e “Raportimit dhe Komentimit të Ilustruar” pasi u largua nga “Washington Post” – pas një mosmarrëveshjeje mbi një karikaturë të pabotuar kritike ndaj Trump. Telnaes punoi për gazetën për 17 vjet.

Romani i autorit amerikan, Percival Everett “James”, një riimagjinatë e “Aventurave të Huckleberry Finn”, u vlerësua me çmimin “Pulitzer” për Trillim.

Çmimi i romanit Jo-Trillim iu dha Benjamin Nathans për “Për Suksesin e Kauzës Sonë të Pashpresë”, “To the Success of Our Hopeless Cause”, një kronikë e disidentëve rusë që nga vitet 1960.

Çmimet “Pulitzer” u dhanë për herë të 109-të këtë vit. Fituesit u zgjodhën nga një juri me seli në Universitetin Kolumbia, në Nju Jork.