Vlora do të jetë një nga 13 qytetet europiane të Sportit për vitin 2024. Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha i cili u shpreh se kjo është vlerësim i madh për Vlorën, por edhe përgjegjësi e madhe. “Vlora paraqiti kandidaturën e saj pak javë më parë pranë ACES Europe, ndërsa dje, në Bruksel, në Parlamentin Evropian, gjatë ceremonisë së përvitshme të shpalljes së emërimeve për vitin 2024 (ACES Annual GALA Awards 2024), kërkesa jonë u pranua”, u shpreh ai. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Klevis Kaso, nënkryetari i bashkisë për sportet dhe infrastrukturën sportive, Elona Hasanaj, drejtuese e Klubit Shumësportësh “Flamurtari” dhe Tea Memushi, basketbolliste e njohur. Dredha vlerësoi se ky emërim sjell mundësi të shkëlqyera, por kërkon punë e përgatitje shumë cilësore nga të gjithë. “Na është dhënë një rast i artë për qytetin tonë. Vlora do të fitojë mjaft, pa dyshim, nga kjo. Na duhet të shfrytëzojmë me mençuri për të mbështetur sportet, mjediset e mjetet sportive, për të ndihmuar shfaqjen e talenteve të reja, popullarizimin e disiplinave sportive te fëmijët, të rinjtë, te vajzat e gratë, nëpër shkolla, në periferi, për të përkrahur vlerat morale e shpirtërore që nxit sporti”, tha ai. Po ashtu Dredha u shpreh se kjo do të ndihmojë në imazhin e Vlorës, si qytet i pastër e mikpritës, me infrastrukturë të mirë, hoteleri moderne, tradita e trashëgimi tërheqëse, bukuri natyrore të jashtëzakonshme dhe njerëz bujarë. “Ne mund të bëjmë shumë gjatë këtij viti sportiv për turizmin, sepse natyrisht, Vlora, tashmë si pjesë e një harte evropiane veprimtarish, do të jetë një portë e hapur për të huajt. Ata do të vijnë këtë vit për sportin, por mund të kthehen çdo vit për turizmin, për biznes, për rekreacion. Është bukur të theksosh këtë përkatësi evropiane. Tani na duhet të tregojmë se e kemi merituar”, tha ai.