Për këtë projekt qeveria e Gjermanisë vë në dispozicion një vlerë financiare prej 3 milionë eurosh.
“Vjosa e Gjelbër” do të forcojë kapacitetet e bashkive përgjatë Vjosës, do të mbështesë iniciativat e komunitetit dhe do të ndërtojë një model të integruar menaxhimi të natyrës që mund të shërbejë si shembull edhe për zona të tjera të vendit, duke kontribuar në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Kapitullin 27.
Ky projekt synon zhvillimin rajonal të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në natyrë në zonën e pellgut të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Projekti, i mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë dhe implementuar nga GIZ Albania, përfshin forcimin e administratës së parkut përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave, nxitjen e bizneseve lokale dhe të produkteve dhe shërbimeve të bazuara në natyrë, si dhe bashkëpunimin rajonal midis administratës, sektorit ekonomik dhe shoqërisë civile.
Projekti do të zbatohet gjatë periudhës 2026-2029 dhe synon të krijojë të ardhura dhe vende pune për komunitetin lokal duke siguruar një menaxhim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të natyrës.





