Teatri Kombëtar do të sjellë këtë fundjavë komedinë e zezë me autorësinë e Leka Bungos, dramaturgu dhe regjisori i veprës “Testamenti”. Komedia “Testamenti” vjen nën interpretimin e aktorit të mirënjohur Viktor Zhusti. Për rreth 60 minuta publiku do të përballet me historinë e Shqipërisë, nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste e deri në ditët tona, duke bërë një paralelizëm mes asaj se çfarë ndryshoi dhe çfarë jo. “Testamenti” sjell në skenën e ArTurbinës, komunistin Kuqo, i cili lë një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të Partisë Komuniste dhe gati deri në ditët e sotme. I vetëm në skenë, me një monolog që zgjat për rreth një orë, Zhustin në rolin e Kuqos do ta shoqërojë sarkazma e cila është pjesë e veprave të autorit Leka Bungo. “Testamenti” mund të ndiqet nga artdashësit për 2 net rresht, 10 dhe 11 shkurt, në ArTurbina.