Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe kompaninë “Leon Konstruksion”, po realizohet konservimi i pikturës murale dhe ikonostaseve në kuadër të projektit për “Përmirësimin e turizmit potencial kulturor, nëpërmjet ndërhyrjes në sitet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë”.

Ndër kishat më të rëndësishme të Voskopojës është ajo e Shën Mëhillit, e cila u mbarua së ndërtuari më 1722, si kishë e tipit bazilikal trenefesh. Dy rreshtat e kolonave ndajnë hapësirën e naosit në dy nefe anësore dhe në një qendror, të kompozuar në lartësinë e volumit të naosit. Kolonat janë të lidhura midis tyre me harqe në të dy drejtimet. Në të gjitha nefet krijohen bërthamat, mbulesat e të cilave janë kupola.

Të gjitha kupolat nuk ngjanë me njëra-tjetrën. Ndryshueshmëria paraqitet në planimetri. Në pjesën lindore absida del jashtë dhe është e trajtuar me pilastra. Narteksi ndodhet në pjesën perëndimore, nuk ndryshon shumë nga ana konstruktive në pjesët e naosit.

Narteksi është i mbështetur në kolona guri me harqe dhe kupola, por në dallim nga naosi nuk ka nefe dhe të gjitha mbulesat janë kupola me brinjë katrore në nivel për nga lartësia. Hajati mungon, është rrënuar para shumë vitesh, por sot arrijmë të lexojmë gjurmë. Në 1996 kisha u vandalizua dhe 23 piktura shenjtorësh u dëmtuan rëndë.