Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, do ta kthejnë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.
Aktualisht po punohet në gjashtë kilometrat e parë të autostradës, e cila në përfundim të punimeve do të kalojë në kategorinë “A”, me zgjerimin e korsive dhe shtimin e limitit të shpejtësisë.
Segmenti i parë ku po ndërhyhet është nga Kthesa e Kamzës deri në Mbikalimin e Rinasit.
Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës.
Ajo ishte parashikuar për një fluks makinash prej 40 mijë mjetesh në 24 orë, ndërsa tani në pikun e fluksit shkon edhe 94 mijë mjete.
Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë autostradës kushton 250 milionë euro.