Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja informoi se nga 86 raste të referuara nga Policia e Shtetit për testin e rimarrjes së lejes së drejtimit, sot rezultuan edhe 2 kalues të tjerë, duke qenë në total vetëm 4 kalues. “Vetëm 2 kalues sot në testin e rimarrjes së lejedrejtimit pas humbjes së pikëve, teori e praktikë, në seancën e 5-të që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në autoshkollë, në 2 muajt e parë që ky akt është në fuqi, nga 86 rastet e para të referuara nga Policia e Shtetit, të regjistruar”, tha Gonxhja. “S’ka shpëtim përveç riedukimit për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë! 4 nga 86 persona të riregjistruar, ose vetëm 4.6% e atyre që provojnë të rifitojnë lejedrejtimin, ia dolën! 82 personave, ose 95.4% të totalit do t’u duhet të ndjekin nga e para mësimin në autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim, çdo herë brenda një afati 30-ditor, me vetëm 1 mundësi prove”, shtoi ai. Gonxhja u bëri apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor, sepse nëse do t’i humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalojnë në testin e praktikës. “Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë! Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja”, apeloi Gonxhja.https://ata.gov.al/2022/08/25/gonxhja-vetem-4-nga-86-te-ritestuar-moren-lejedrejtimin-pas-humbjes-se-pikeve/
Vetëm 4 nga 86 të ritestuar morën lejedrejtimin pas humbjes së pikëve
RELATED ARTICLES