Tashmë edhe shumë shërbime të Kadastrës janë online në e-Albania.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës informoi mbi hapat që duhet të ndjekin qytetarët për t’u pajisur me vërtetimin e transaksioneve të pronësisë për 5 vitet e fundit.
Sipas Kadastrës, kur aplikohet në e-Albania, zgjidhet shërbimi “Aplikim për lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv për të gjithë territorin)”.
Krijohet një aplikim i ri dhe përzgjidhet kutiza “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin” (nëse jeni pronar/bashkëpronar).
Më pas klikohet “Dërgo”, shkarkohet mandati dhe kryhet pagesa në Postën Shqiptare.
Kadastra njofton se, duhet të dërgohet një e-mail në [email protected], duke përfshirë: emrin, atësinë dhe mbiemrin e aplikuesit; kërkesën për vërtetimin e transaksioneve mbi pronën në 5 vitet e fundit dhe aplikimin dhe mandatin e pagesës të kryer sipas udhëzimeve.
Pas këtyre hapave, dokumenti do të mbërrijë në e-mail e qytetarit.
Objektivi i qeverisë është transformimi i Kadastrës në një shërbim digjital në të gjitha hallkat e tij.
Deri më tani janë mbi 70 shërbime të Kadastrës që merren online përmes platformës “e-Albania”.