Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vendimi i qeverisë për konfiskimet e ndërtimeve pa leje nuk amniston ndërtuesit nga drejtësia. I pyetur nga qytetarët në një komunikim online në lidhje me ndërtimet pa leje dhe pse nuk lejohet që drejtësia të merret me ndërtuesit e kullave, Rama u shpreh, “kur vjen puna tek drejtësia e gjithë shqiptarët që kërkojnë drejtësi janë në një anë”. “Më të pasurit me këtë drejtësi i zgjidhin punët. Ky është problemi. Nuk jam unë që nuk lejoj drejtësinë të merret me ta, por është drejtësia që nuk më lejon mua, nuk të lejon ty, ne, qeverinë tonë që t’i bëjë gjërat deri në fund, se në fund fjalën e ka drejtësia. Flitet shumë për Policinë e Shtetit dhe shumë mirë që flitet, por nëse në këtë vend gjykatat do të bënin sa Policia e Shtetit, ky vend sot falë kësaj Policie Shteti me të gjitha të metat që ka, do ishte shumë herë më i përparuar se sa është në raport me aty ku e nisëm”, shtoi ai. “Sa janë rastet që Policia e Shtetit i çon në gjykatë fajtorët e sa fajtorë marrin bekimin e gjykatës për t’u rikthyer në jetën e përditshme në vend që të shkojnë aty ku e kanë vendin e për të përsëritur të njëjtin faj? Është shumë e vërtetë, absolutisht, që një rob i thjeshtë madje dhe një burrë i vjetër apo dhe një grua e vjetër mund të përfundojnë në duart e ligjit për një mur. Për dritare u kap si shkelës i ligjit Bojken Lako dhe ndërkohë dikush që ndërton një kat, dy kate, tre kate pa leje, nuk përfundon. Pse? Ta them unë, sepse tek drejtësia e kanë kollaj”, u shpreh Rama. “Keni dëgjuar shumë përralla për inceneratorët. Shumë përralla. Nuk jua ka thënë kush, mund ta kemi thënë ne, por gënjeshtra bën xhiron e botës ndërkohë që e vërteta akoma nuk ka ngritur pantallonat thotë populli, lidhur me ato TVSH-të e paguara ose devijuara, ose me ata të vdekurit që figuronin. Atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë Prokuroria nuk ka bërë asgjë për fajtorët dhe atë skemë Prokuroria e ka çuar tek ‘nonë daja, domethënë tek këta, që pastaj me dokumentet e Prokurorisë dalin e bëjnë Prokurorin rrugëve e çorodisin miletin, ky është fakti”, theksoi Rama. “Se flasim shumë për SPAK-un. SPAK-u është vetëm një institucion i ri, i cili merret me gjëra të tjera. Merret me zyrtarët e lartë, por prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve merren me këto. Prokuroria e Tiranës dhe të rretheve, në bashkëpunim me të tjerë inspektorë e punonjës policie të super zellshëm kur vjen puna për të kapur njerëzit e pafuqishëm, plotësojnë dosje e mbushin statistika duke çuar përpara drejtësisë njerëz për një mur, njerëz që në fund të ditës mund të ndërtojnë pa leje por jo për të shitur, kurse këta që ndërtojnë pa leje për të shitur, këta e blejnë prokurorin, këta e blejnë gjykatësin e përballë këtyre policia dhe qeveria është e pafuqishme. Ky është thelbi dhe të gjitha të tjerat janë poshtërsira të njerëzve vemje me gjak jeshil që dalin nëpër televizorë me sytë gjak dhe që nuk lënë gjë pa thënë për mua, nuk lënë gjë pa thënë për ne, ndërkohë që ne jemi absolutisht të kritikueshëm, por një ves nuk e kemi. Nuk i bëjmë gabimet me qëllim dhe nuk përdorim pushtetin për ato gjëra për të cilat akuzohemi”, tha Rama. “Nëse unë do të doja të bëja pazare me këta që quan oligarkë, të pasur, quajini si të doni, do ta kisha shumë të thjeshtë. Dhe VKM-ja vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç të krijuar me vite. ‘Ligji është aty me vite, merreni shikoni sa denoncime janë bërë në Prokurori për të pasurit dhe hajde më tregoni sa të pasur janë vendosur përpara ligjit për ndërtime pa leje, për evazion fiskal. Merrini shikojini. Prokurorët bëjnë pazare me ta. Kjo është e vërteta. Gjykatësit bëjnë pazare me ta. Po ata as nuk përfundojnë fare në gjykatë. Pastaj ato dosje prokurorët i bëjnë tregti me politikën dhe me medien. Kjo është e vërteta”, theksoi Rama. Kryeministri shtoi se “vendimi që kemi marrë nuk i largon duart e drejtësisë prej tyre. Drejtësia ka punën e vetë. Një vendim qeverie nuk amniston dot asgjë, askënd. Një vendim qeverië nuk heq dot nga duart e drejtësisë dikë. Por vendimi i qeverisë bën këtë, që ata që kanë ndërtuar këto kate do vënë mend, ata dhe do vënë mend të gjithë. Sepse nëse ti e ndërton një kat pa leje sepse arrin të korruptosh një polic, arrin t’a mbyllësh sytë një polici, arrin ta devijosh sistemin dhe e ke gjykatësin dhe prokurorin në xhep, ty nuk të del llogaria që pastaj atë kat do të duhet që pastaj ose ta blesh me çmimin real jo me çmimin që deklarojnë këta. Pra, nëse ti tek sheshi “Skëndërbej” ose në qendër të Tiranës do ndërtosh një m2 pa leje që pastaj do e blesh 5 mijë euro, plus do paguash gjobën, plus dhe ke nga mbrapa drejtësinë, nëse drejtësia do të vijë nga mbrapa se këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria, atë herë ti nuk ke pse ndërton më”, tha Rama. “Kjo është e vërteta, është shumë e thjeshtë. Por të vërtetën është gjithmonë e më e vështirë për ta marrë vesh nëse nuk e kërkon në këtë llum ku çfarë nuk vjen e çfarë nuk dëgjojmë”, u shpreh Rama.http://ata.gov.al/2022/09/17/ndertimet-pa-leje-rama-vendimi-i-qeverise-nuk-amniston-ndertuesit-nga-drejtesia/