Menaxhimi i aseteve dhe mirëmbajtja efektive e rrugëve është thelbësore për një infrastrukturë të qëndrueshme. Ekspertë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet vëzhguese diskutuan gjatë një seminari dyditor për praktikat më të mira për përmirësimin zhvillimeve të qëndrueshme infrastrukturore në rajon. Ekspertët e Bankës Botërore dhe Komitetit të Transportit vunë theksin në zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës si faktor kryesor në minimizimin e rreziqeve dhe përmirësimin në tërësi të sistemit të transportit. Një nga prioritet e qeverisë shqiptare janë edhe investimet në infrastrukturën rrugore të cilat kanë një impakt direkt në ekonominë e vendit. 1335 kilometra rrugë janë përfshirë në programin e qeverisë në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore në rehabilitimin e plotë të akseve kombëtare nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim të vendit. Banka Botërore bën të ditur se, 1053 km rrugë kryesore dhe 282 km rrugë dytësore janë përmirësuar nga punimet për mirëmbajtjen e tyre. Sipas BB, ndërhyrjet e kryera në kuadër të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore, financuar nga Banka Botërore, kanë cuar në ulje të shpenzimeve për automjetet, reduktim të kohës së udhëtimit dhe nevojën për më pak punime të tjera mirëmbajtjeje në të ardhmen. Në kuadër të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore, u përfshinë 336 km rrugë në Rajonin Verior Shkodër-Kukës, në Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër, 286 km rrugë. Ndërsa në Rajonin Qendër/Jugor/Lindje Fier-Elbasan-Korçë, 419 kilometra dhe në Rajonin Jugor-Vlorë-Gjirokastër, 350 kilometra.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, diskutojnë praktikat më të mira në zhvillimin infrastrukturor
RELATED ARTICLES