Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn

Balluku u shpreh në një postim në rrjetet sociale se me VanHorn, shprehën angazhimin e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë, si shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.

“Duke i uruar suksese në misionin e saj në Shqipëri, e njoha Nancy VanHorn edhe me disa prej projekteve më të rëndësishme që Shqipëria është duke ndërmarrë, e ku SHBA na ka dhënë një mbështetje të pakursyer, veçanërisht në sektorin e energjisë”, theksoi Balluku.

Ndërsa ambasada e SHBA në Tiranë bëri të ditur se, gjatë diskutimit të tyre, VanHorn theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve të biznesit dhe investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe mbështetjen për projektet strategjike në të gjithë vendin dhe rajonin.

Ato diskutuan gjithashtu mundësitë për të rritur më tej bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.