Ura e Bilçës në Berat është një segment tashmë i përfunduar me të gjithë parametrat urbanë, duke u bërë kështu një portë e madhe e prurjeve turistike drejt Beratit të rilindur mijëravjeçar.
Në një postim në rrjetet sociale sot, Rama përcjell pamje të urës së përfunduar.
Ura e Bilçës në Berat lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom i Vogël, dhe së shpejti do të lidhet edhe me rrugën e fshatit Drobonik dhe me gjithë fluksin e mjeteve që do të qarkullojnë nëpërmjet aksit Berat – Ballaban – Përmet – Gjirokastër – Greqi.
Ky investim është projekti i bashkisë Berat në partneritet me Fondin Shqiptar për Zhvillim dhe financimit me grant nga fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas projektuesve, kjo urë e kthen Bilçën në lagje të qytetit të Beratit dhe për më tepër, zgjeron paketën turistike, ku vizitorët vetëm pak minuta larg do të gjejnë destinacionet e ekoturizmit në Bilçë dhe zonat përreth.
Ura ka një gjatësi prej 268 metrash dhe gjerësi të superstrukturës 12,4 metra ku përfshihen dhe trotuare dhe korsi për biçikleta.