Situata në frontin lindor është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit, tha sot komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky duke vënë në dukje një intensifikim të ofensivës së ushtrisë ruse, e cila po shtyn veçanërisht në drejtim të Chassiv Yarit. “Situata në frontin lindor është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit. Kjo është kryesisht për shkak të intensifikimit të ndjeshëm të ofensivës së armikut pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi”, shkroi ai në Telegram.
”Ushtria ruse po sulmon pozicionet e Ukrainës në sektorët Lyman dhe Bakhmut me grupe sulmi të mbështetura nga automjete të blinduara si dhe në sektorin e Pokrovsk”, tha ai. “Kjo është bërë e mundur nga moti i nxehtë dhe i thatë, i cili i bëri shumicën e zonave të hapura të aksesueshme për tanket”, shpjegoi Oleksandr Syrsky. Megjithë humbjet, ushtria ruse vendos “njësi të reja të blinduara”, gjë që i lejon asaj të arrijë “suksese taktike”. Rusët kanë intensifikuar presionin e tyre rreth Chassiv Yar ditët e fundit, me këtë lokalitet kyç lindor që tani e gjen veten “nën zjarr të vazhdueshëm”, sipas Kievit.
Ky qytet, i ngritur në një lartësi, shtrihet më pak se 30 kilometra në juglindje të Kramatorskut, qyteti kryesor në rajonin nën kontrollin e Ukrainës dhe një qendër e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase. “Çështja e epërsisë teknike ndaj armikut në fushën e armëve të teknologjisë së lartë lind përsëri”, tha ai. Kievi ka muaj që u kërkon aleatëve të tij perëndimorë më shumë municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Por, ndihma po mbaron për shkak të bllokimeve politike në Uashington, duke detyruar ushtarët ukrainas të ruajnë municionet e tyre.