Tv Klan – 43.6 gradë Celsius në Elbasan

0
64

25 Korriku, dita e fundit e valës që mbërtheu Shqipërinë për më shumë se dy javë regjistroi temperaturën më të lartë të kësaj vere deri më tani. Termometri shkoi në 43.6 gradë Celcius në Elbasan dhe 43.4 në Berat. Këto janë të dhënat zyrtare të MeteoAlb, pasi në disa tabela që masin temperaturat nëpër qytete u regjistruan edhe vlera deri në 47 gradë. “Dita e sotme ka shënuar ditën e 17 të valës së të nxehtit e cila ka sjellë temperatura ekstremisht të larta”, tha sinoptikani Hakil Osmani. Por kjo valë ferri duket se do të marrë fund nesër, pasi sipas meteorologëve temperaturat do bien ndjeshëm. Një masë e ftohtë ajrore vjen nga veriu drejt pellgut të Mesdheut. “Do të kemi ndryshim të tablosë termike dhe kjo vjen si pasojë e një mase ajrore të ftohtë nga veriu i kontinentit europian, po zbret drejt pellgut të Mesdheut duke bërë që të kemi ndryshim të menjëhershëm të temperaturave me të paktën 7 apo 8 gradë celsius”, tha Osmani. Në ditët e fundit të Korrikut dhe 10 ditëshin e parë të Gushtit do përjetojmë temperatura kryesisht tipike të stinës. “Do të kemi edhe ditë që do të regjistrohen temperatura në 38 gradë Celsius”. Sikundër ka ndodhur në shumë vite muaji gusht ka sjellë disa episode të shkurtra të cilat kanë sjellë, rrebeshe shiu, herë pas here në formën e breshërit, por ka sinjale të forta të kemi fuqizim të parametrave të erës”, tha sinoptikani. Gjatë kësaj jave problematike do të jetë era që do rrezikojë edhe përhapjen e zjarreve në vatrat aktive në Fier dhe Vlorë.