Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se zhvillimet ndërkombëtare vazhdojnë të tregojnë se sa kritike është Turqia për Evropën. “Faktikisht, çdo zhvillim në botë zbulon faktin se Turqia është e domosdoshme për Bashkimin Evropian (BE) dhe rajonin evropian”, tha presidenti Erdogan pas takimit të kabinetit, në Ankara. Deklarata e presidentit Erdogan vjen pas vizitës së tij në Pragë, Çeki, ku mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian për të përcjellë pikëpamjet, kontributet dhe vlerësimet e Turqisë në sfidat me të cilat përballet Evropa, për sa i përket paqes, sigurisë, energjisë, klimës dhe ekonomisë. Presidenti turk, Erdogan njoftoi se në mbledhjen e Komunitetit Politik Evropian kishte zhvilluar takime me disa liderë, përfshirë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan. Gjatë takimeve të tij në Pragë, Erdogan tha se Turqia dëshiron të zgjidhë problemet e Egjeut dhe Mesdheut brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar. Erdogan i kërkoi BE-së t’i bënte thirrje Greqisë që të hynte në dialog mbi baza dypalëshe në vend që të mbështeste iniciativat ilegale të ashtuquajtuara unitet ose solidaritet. Gjithashtu, Erdogan tha se udhëheqësit në samitin e Pragës vlerësuan rolin ndërmjetësues të Ankarasë midis Rusisë dhe Ukrainës.https://ata.gov.al/2022/10/11/ankara-erdogan-turqia-e-domosdoshme-per-evropen/