Tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës dhe ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit konsiderohet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm që afron qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por është po ashtu edhe një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor është rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra një rrugë lidhëse ndërkombëtare.