Një fytyrë vlen edhe shtatë milionë dollarë. Fushata elektorale e Donald Trump po feston, pasi njoftoi shumën e mbledhur në dy ditët pas publikimit të fotos së ish-presidentit në burgun e kontesë Fulton, në Xhorxhia, sipas ”Corriere della sera”. Zëdhënësi Steven Cheung thotë se fushata arriti një rekord prej 4,18 milionë dollarësh të ardhura njëditore, të premten, dhe se kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Cheung shtoi se donacionet janë rritur veçanërisht pas publikimit të fotografisë në profilin e Trump në X. Ata që janë regjistruar në fushatën e ish-presidentit kanë marrë mesatarisht katër emaile në ditë duke nënvizuar se si fotografia është kthyer në simbol të një “njeriu të pafajshëm” të persekutuar nga sistemi. Shuma totale është 20 milionë dollarë gjatë tre javëve të fundit dhe përkon me dy aktakuzat e fundit. Në gjashtë muajt e parë të vitit, duke arritur kulmin pas aktakuzës së parë në Nju Jork, fushata mblodhi 53 milionë dollarë. Dhe Trump është ngritur në sondazhet që e shohin atë duke udhëhequr rivalët e tij me 30 apo edhe 50 pikë përqindjeje. Në të njëjtën kohë, kandidati i favorizuar për nominimin republikan shpenzon dhjetëra miliona dollarë për mbrojtjen e tij. PAC-të e tij, organizatat për mbledhjen e fondeve në mbështetje të kandidaturës së tij, kanë paguar të paktën 59.2 milionë dollarë për më shumë se 100 avokatë që nga janari 2021. Fushata e Biden ka mbledhur 77 milionë dollarë që nga shpallja e përsëritjes së tij në prill, por ai e ka pasur të vështirë të konkurrojë me Trump dhe republikanët e tjerë për të fituar mbështetjen e donatorëve të vegjël. atsh
Trump fiton shtatë milionë dollarë në dy ditë falë një fotografie
RELATED ARTICLES