Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës ruso-turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit. Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, konti Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.
Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37, 7 mijë km2 në 52, 7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4, 7 mijë km2 në 15,7 mijë km2.
Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë. Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare.