Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVASzunyog: Qeveria ta zgjasë afatin e konvertimit të tabelave ilegale në RKS

Szunyog: Qeveria ta zgjasë afatin e konvertimit të tabelave ilegale në RKS

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomash Syzjong, ka thënë se duhet të zgjatet afati për konvertimin e targave të veturave me regjistrim të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë. Në një intervistë për Radio Kosovën ai ka quajtur të pavend kërkesën e Qeverisë së Kosovës që ky konvertim i tabelave të bëhet brenda dy muajve. Radio Kosova: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar me vite. A mund të presim një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve gjatë muajve në vijim? Tomáš Szunyog: Nuk dua të spekuloj me data, gjithashtu Bashkimi Evropian është vetëm ndërmjetësues në këtë dialog, i cili është i varur tërësisht nga agjendat që përcaktohen nga Prishtina dhe Beogradi. Ne shpresojmë që marrëveshja finale për normalizim të raporteve të arrihet sa më shpejt, por sërish po e them, varet nga të dyja palët. Është e rëndësime të kuptohet se gjatë këtij viti fatkeqësisht rrethanat e përgjithshme në Europë kanë ndërruar, për shkak të agresionit rus, në Ukrainë. Dhe kjo çështje ka prekur jo vetëm Evropën Lindore, por tërë kontinentin Evropian, prandaj për këtë vlerësoj se është e rëndësishme arritja e një marrëveshje ndërmjet dy vendeve. Radio Kosova: Meqë po e përmendni luftën në Ukrainë. Mendoni që Bashkimi Evropian ka filluar të përshpejtojë procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në BE? Tomáš Szunyog: Nuk mendoj që ka ndryshim të metodologjisë së procesit të zgjerimit. Sërish vazhdon të jetë e njëjta kornizë e zgjerimit, siç ka qenë më parë, por natyrisht që konteksti gjeopolitik ka ndryshuar. Për këtë edhe përqendrimi i BE-së është më i madh në vendet e Evropën Lindore. Për shkak të luftës në Ukrainë, kjo e fundit por edhe Moldavia kanë marrë statusin e vendit kandidat, duke përfshi edhe Gjeorgjinë që është në rrugë e sipër. Pra, konteksti politik ka ndryshuar, por metodologjia është e njëjtë. E tëra sërish bazohet në ritmin e reformave të vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate, për t’i përshtatur reformat e tyre politike, ekonomike dhe ligjore me standardet dhe normat evropiane. Radio Kosova: Për sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave më Shumice Serbe, Serbia është duke kërkuar që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, përderisa Qeveria e Kosovës thotë që ky asociacion do të themelohet vetëm bazuar në vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Cili mendoni që do të jetë kompromisi në këtë kontekst? Tomáš Szunyog: Mendoj që korniza për kompromis është mjaft e qartë. Fillimisht ju e keni marrëveshjen e vitit 2013, e cila është negociuar, nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu keni edhe marrëveshjen e vitit 2015 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, po atë vit. Pra, këto tri elemente janë kornizë e qartë mbi të cilat duhet të veprojë Qeveria e Kosovës. Pra, unë do të thosha që ky nuk është vetëm një obligim ligjor ndërkombëtar, por edhe obligim i brendshëm që Kosova duhet ta zbatojë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013, Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse e lexojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, aty thuhet që Asociacioni do të themelohet sipas parakushteve të përcaktuara dhe po ashtu thuhet në mënyrë shumë të qartë dhe kërkohet që të zhvillohet statuti i Asociacionit, dhe sërish t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, unë mendoj që kjo duhet të vazhdojë të diskutohet në dialog dhe është Qeveria e Kosovës ajo që duhet të marrë iniciativën dhe të vazhdojë të dialogojë se si duhet të zbatohet marrëveshja për Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Radio Kosova: A mund të presim zbatim të plotë të marrëveshjes me Serbinë për targa të veturave, të cilat kanë afat të zbatimit deri më 31 tetor? Tomáš Szunyog: Ne shpresojmë për zhvillim të dialogut dhe arritjen e një kompromisi për çështjen e targave për vetura. Është shumë e qartë nga perspektiva jonë e që e thonë edhe në marrëveshjet e arritura në vitin 2011 dhe 2016, që në Kosovë, duhet të përdoren vetëm targat e Kosovës. Prandaj nga kjo perspektivë, targat të cilat lëshohen nga Serbia nuk janë në përputhje me marrëveshjet. Prandaj është një kornizë e cila tregon udhëzime të qarta se si të veprohet në këto raste. Po ashtu duhet thënë që janë edhe dy elemente të rëndësishme që duhen veçuar: e para është që zgjidhja duhet të gjendet me atë njerëz që janë të prekur nga kjo çështje, dhe e dyta është që zbatimi i marrëveshjes për targa duhet të bëhet brenda 12 muajve, besoj që kjo është e paraparë edhe me dy marrëveshjet e arritura në vitin 2011 dhe 2016. Andaj, vendimi i qeverisë që targat e veturave me regjistrim të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë të konvertohen në ato RKS brenda dy muajsh, mendoj që është vendim jo bash me vend. Radio Kosova: Janë ende pesë vende të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. A mendoni që ato mund ta ndryshojnë qëndrimin e tyre në një të ardhme të afërt? Tomáš Szunyog:Është e vështirë për mua të komentoj në këtë çështje, sepse ky është vendim ekskluziv i vendeve anëtare të BE-së. Pos sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje. Radio Kosova: Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën (do të jetë në rend të ditës, në takimin e grupit punues të Këshillit të Ministrave që mbahet më 13 tetor 2022. A mund të presim liberalizim të vizave deri në fund të viti? Tomáš Szunyog: Për mua është e vështirë të komentoj përveç asaj që e ka thënë edhe Komisioni Evropian, që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që nga 2018 dhe se duhet dhënë liberalizimi i vizave. Është e rëndësishme që Presidenca Çeke e ka vënë në agjendë të Këshillit të Ministrave dhe ky është një mesazh i fortë se mund të arrihet një pajtim për ta bërë liberalizimin e vizave. Por, më duhet ta theksoj se ku takim i 13 tetorit është vetëm takim i grupit punues, pra është takim në nivel ekspertësh, të cilët diskutojnë të dhënat që i janë ofruar nga Komisioni Evropian. Edhe Qeveria e Kosovës ka bërë analizat e saj dhe i ka dërguar te të gjitha vendet anëtare të BE-së. Por duhet të shohim se si do të zhvillohet debati dhe shoh sinjale të forta nga vendet anëtare se janë të gatshme ta diskutojnë. Mendoj që mund të ketë shans që diskutimet do të vazhdojnë. Organi vendimmarrës natyrisht është Këshilli i Ministrave. Rrugëtimi do të vazhdojë dhe do të arrijmë disa rezultate pozitive. Nuk dua të spekuloj kur saktësisht do të merret vendimi për liberalizim dhe kur saktësisht do të zbatohet ky vendim. Radio Kosova: Raporti i Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të publikohet gjatë muajit tetor. A ka pasur luftë kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar në Kosovë? Tomáš Szunyog: Raporti vjetor që publikohet nga Komisioni Evropian gjatë muajit tetor përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë përfshin strategjinë për të gjitha vendet e rajonit, dhe pjesa e dytë përfshin specifikat për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket çështjes së sundimit të ligjit, ne e respektojmë angazhimin e qeverisë për të zbatuar reformat për sundim të ligjit. Kemi parë shumë aktivitete për sa i përket miratimit të ligjeve që lidhen me sundimin e ligjit si p.sh ajo për deklarimin e financimit të partive politike. Por është mjaft e dukshme që organet e sundimit të ligjit nuk janë ende të përsosura dhe duhen përmirësime. Ne do të punojmë me Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë në zbatimin e mëtejmë të reformave. Radio Kosova:Kosova dhe Bashkimi Evropian sapo kanë nënshkruar marrëveshjen IPA III. Në cilat fusha do të zbatohen këto fonde? Tomáš Szunyog: Për ne është shumë e rëndësishme që kemi një kornizë të re për fonde IPA III, që gjithashtu është ratifikuar nga Asambleja. Tani kemi nënshkruar Programit Vjetor IPA 2021dhe shpresojmë për një miratim të shpejtë. Logjika është që kemi një kornizë shtatëvjeçare për IPA III dhe pastaj përgjatë këtyre viteve ne i zbatojmë programet vjetore. IPA 2021 është rreth 63 milionë. Më duhet të them që kemi një bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës. Ne kemi prioritet tona, por pastaj i shohim edhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që në fund të dalim me konkluzione të përbashkëta. Që nga viti 2007, përmes Programeve Vjetore, BE ka dhënë në Kosovë mbi 1.2 miliardë euro, që e bënë të jetë edhe donatori më i madh në Kosovë. Për programet specifike më shumë jemi të fokusuar tek energjia tranzicionale dhe mbrojtja e mjedisit. Pastaj te financimi i komunave, reforma në administratën publike dhe adaptimi i ligjeve të Kosovës me ato të BE-së. Tashmë, jemi duke punuar me qeverinë edhe për IPA 2022 dhe jemi të kënaqur në punë tonë me qeverinë. Radio Kosova: A është Kosova duke i zbuar masat që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA)? Tomáš Szunyog: MSA-ja është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që është nënshkruar në vitin 2015 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Ne jemi të kënaqur që Qeveria e Kosovës është e gatshme ta zbatojë këtë marrëveshje. Qeveria ka zhvilluar agjendën e saj evropiane për reforma dhe ka planin e saj të zbatimi për marrëveshjen e MSA-së. Natyrisht, ka shumë gjëra që mund të bëhen nga qeveria dhe kuvendi. Që nga viti 2017 deri në vitin 2021 në Kosovë nuk ka pasur stabilitet politik, ka pasur zgjedhje të parakohshme dhe koalicione të dobëta ndërmjet partive. Më duhet të them që kam shpresuar që pas 14 shkurtit të vitit 2021 gjërat do të përshpejtoheshin, sepse është një qeveri me mandat të plotë. Është pak e vështirë për mua ta kuptoj se si një koalicion aq i fortë më shumicë në parlament, nuk mund t’i miratojë ligjet. Në gusht kuvendi ka miratuar Rregulloren e re dhe tash shpresoj që kjo do të ndihmojë, ndonëse jemi të shqetësuar nga kjo paaftësi e parlamentit që të miratojë ligje, që pjesërisht duhet të themi që po shkaktohet nga mos pjesëmarrja e duhur e deputetëve. Prandaj, pozita dhe opozita duhet të miratojnë ligjet që janë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Shpresoj për përshpejtim të miratimit të ligjeve dhe për diskutime më konstruktive. Mund t’i numëroj disa ligje që për ne janë të rëndësishme e njëri ndër ta është edhe miratimi i Kodit Civil. E kuptoj që ka debat politik për dy nene të Kodit Civil. Më duhet t’ju them se në Kodin Civil janë të përfshira 1500 nene të tjera, për hartimin e të cilave në kemi investuar shtatë vite me ekspertë, logjistikë e ndihmë teknike në hartimin e këtij drafti. Do ta kuptoja që sikur fillimisht Kodi të kalonte dhe pastaj debati politik të vazhdonte për nenet specifike, por refuzimi qysh në fillim, është diçka e vështirë për t’u kuptuar! Shpresoj që në të ardhmen kuvendi të ketë konsensus më të madh për sa i përket gjërave që lidhen me BE-në.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=619388

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments