Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar sot një video, në të cilën përshkruhet se si ka ndodhur rrëmbimi i tre policëve në veri të vendit. Sveçla ka shkruar se rrëmbimi i policëve ka qenë i planifikuar. Ai ka potencuar se Serbia duhet të ndalojë dezinformimin dhe të lirojë policët. “Një vepër kriminale. Videoja e mëposhtme tregon se si forcat serbe, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vuçiqit, rrëmbyen zyrtarët tanë të PK-së, thellë në territorin e Kosovës. Saktësisht 1 km larg kufirit. Serbia duhet të ndalojë dezinformimin dhe të lirojë oficerët tanë tani.”, ka shkruar ai në Twitter. Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe. atsh