Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se që nga marrja e informatave të para lidhur me sulmin e ndodhur në mëngjesin e sotëm, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në vendin e ngjarjes ka dalur prokurori i PSRK-së për të mbikëqyrur aksionin e sotëm. Prokuroria Speciale, gjithashtu ka njoftuar se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’. Sipas një komunikate të prokurorisë, po ashtu, nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme. “Prokuroria Speciale i shpreh ngushëllime familjes së Policit të vrarë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion iu uron shërim të shpejtë. PSRK, thekson se hetimet nga vendi i ngjarjes po vazhdojnë në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante përgjegjëse.Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatë.
Sulmi në Banjskë, Prokuroria ndalon gjashtë persona dhe sekuestron automjete me armatim
RELATED ARTICLES