Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është futur brenda Manastirit të Banjskës dhe ka marrë nën kontroll ndërtesën ku ndodhej grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetëra pelegrinë. Ata janë shoqëruar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës për të verifikuar identitetin e tyre. Gjithashtu, bëhet e ditur se është gjetur sasi e madhe e armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë Manastirit. Ndërsa i arrestuari më parë nga Policia e Kosovës mësohet se është B.S., i lindur në vitin 1992, nga Mitrovica e Veriut, pjesëtar i Mbrojtjes Civile. Gjithashtu, për ngjarjen ka reaguar edhe Manastiri i Deçanit, ku në llogarinë zyrtare të rrjetit “X”, ka dënuar ashpër sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës.