Qeveria e Rumanisë ka dënuar sulmet ruse në portet ukrainase në grykëderdhjen e lumit Danub, pranë kufirit të anëtarit të NATO-s. “Dënojmë fuqishëm sulmet e vazhdueshme ruse (RU) ndaj njerëzve të pafajshëm, infrastrukturës civile, duke përfshirë kapanonet e grurit në porte”, tha ministrja e Jashtme e Rumanisë, Luminița Odobescu në median sociale X, dikur Twitter. “Me këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, RU vazhdon të rrezikojë sigurinë ushqimore dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi”, shtoi ajo. Dy portet ukrainase pranë kufirit rumun u vunë në shënjestër të dronëve rusë në orët e para të së mërkurës, duke dëmtuar kapanonet e grurit. ATSH