Në mjediset e Prefekturës së Qarkut Korçë u zhvillua takimi i pestë i Komitetit Pilotues për projektin e çeljes së Liceut Francez të Korçës.

Prefekti Nertil Jole bëri të ditur se në takim ishte ambasadorja e Republikës së Francës, Catherine Suard, këshilltari për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën franceze në Shqipëri, Pierre Raynaud, si edhe eksperti i qeverisë franceze, Jérôme Lebars, i cili është i atashuar në institucionin e Prefekturës Korçë, për të ndjekur nga afër projektin e liceut.

“Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga kryeministri, institucioni i Prefektit po mbështet ekspertin francez dhe asiston nga afër procesin, duke siguruar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor”, bëri me dije prefekti Nertil Jole, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në takimin e planifikuar të Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet në Tiranë në datë 16 maj me liderët evropianë, kryeministrit Rama dhe presidentit francez Macron do t’i prezantohet edhe ecuria e këtij projekti të rëndësishëm për Korçën.

Ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes Shqipërisë e Francës dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të këtij qarku e më gjerë, të cilët pas studimeve në Liceun Francez do të mund të zgjedhin një shkollë elitare për arsimin e tyre të mëtejshëm.