Shqipëria ka disa kultura autoktone, të cilat rriten ende në gjendje të egër, të pandikuara nga dora e njeriut. Ekspertët e bujqësisë shprehen se arrorët (arra, bajamja, lajthia), çaji i malit, boronica dhe bimët mjekësore në Shqipëri janë në një pjesë të madhe unikale dhe ka gjithmonë një treg të garantuar me vlerë në rritje. Shumë nga këto bimë rriten në gjendje të lirë në natyrë, por këto varietete të ‘malit’ mund të kultivohen edhe në fushë duke qenë dhe mjaft të kërkuar nga tregjet ndërkombëtare. Ekspertë vendas dhe të huaj të bujqësisë mbështetur edhe nga Ambasada franceze në Shqipëri, janë duke punuar për marketimin e arrës komerciale në zonat potenciale të vendit si Dibër, Kukës, Tropojë dhe gjithashtu janë duke zhvilluar projekte pilot për kultivimin më të gjerë të saj. Ata ndërmorën një studim 2-ditor mbi prodhimin e arrës komerciale në këto rajone të vendit, me qëllim zhvillimin e këtij sektori edhe për eksport. Gjatë ditës së parë të vizitës studimore, pjesëmarrësit patën mundësinë të vëzhgojnë nga afër ciklin e plotë të prodhimit të arrës për tregtim, karakteristikat e kultivuesve kryesorë, praktikat kulturore, vjelja, dhe veçanërisht operacionet pas vjeljes (larja, pastrimi, tharja dhe kalibrimi). Aspekte të veçanta me interes nga kultivuesit shqiptarë të arrave ishin gjithashtu metodat e ujitjes me bazë dheu, menaxhimi ekologjik i tokës me përdorimin e bykëve për kompostim, ngritja e pemishteve dhe kostot operacionale për kopshtet e arrave, etj. Pascal Gouget, pronar i biznesit dhe Patrick Heinemann iu përgjigjën një mori pyetjesh nga pjesëmarrësit mbi aspekte të ndryshme të biznesit të arrave, teksa pohuan se kultivimi i bimës së arrës, shumë shpejt do të jetë me leverdi. Ekspertët mendojnë se një varietet autokton i arrës është me shumë të ardhme. “Por fillimisht të interesuarit për këtë biznes duhet të krijojnë strukturën e plotë për tregtimin dhe përpunimin e saj”, thanë ata. Arrat, janë një burim i mirë fitimi për fermerët në veri të vendit që kanë pak tokë në administrim. Arroret rriten në toka të varfra, nuk kërkojnë shumë ujë dhe frutat e tyre janë të kushtueshme. Nisma për mbjelljen e arroreve është mbështetur së fundi edhe nga politikat subvencionuese të qeverisë. Në Shijak, Librazhd, Elbasan, Durrës, Tiranë, me mbështetjen e AZHBR-së, fermerët i janë rikthyer mbjelljeve të arrës. Tregu shqiptar i arrorëve të ngrënshëm furnizohet gjerësisht nga 70% e prodhimit vendas. Ndërsa industria e ëmbëlsirave furnizohet 100% nga importi, ashtu sikurse edhe pjesa e arrave që tregtohen të qëruar apo të paketuara, vijnë nga importi. Ekspertët vlerësojnë se prodhimi i arrave, nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën vendase, ndonëse ka potenciale. Sipas tyre, nuk ka prodhim komercial të arrës pasi ky prodhim krijohet nga grumbulluesit e jo nga fermerët, të cilët shpenzojnë pak ose aspak burime për tu kujdesur dhe përmirësuar bimët. Futja e trajtimit pas vjeljes, seleksionimit, paketimit apo përgatitjes së paketimit sipas kërkesave të tregut do të ishte çelësi për të lehtësuar shitjen e arrave të prodhuara në vend në tregje. “Në veçanti, organizimi i grumbullimit të arrave është i domosdoshëm për të bindur tregtarët e mëdhenj që të furnizohen me një pjesë të produkteve të tyre nga furnitorët lokalë. Arrorët e qëruar të importit janë gjithashtu konkurrues për sa i përket njëtrajtshmërisë së produkteve, paketimit dhe sistemit të furnizimit”, theksojnë ekspertët.http://ata.gov.al/2022/10/11/ekspertet-e-bujqesise-studim-per-prodhimin-e-arres-per-eksport/