Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe ato të rajonit vijojnë stërvitjen e përbashkët “Strong Balkan 23”, e cila synon rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe aftësive të Forcave Speciale në rajonin e Ballkanit. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një reagim në rrjetet sociale tha se qëllimi i kësaj stërvitje është përmirësimi i bashkëpunimit në operacione të vështira mes forcave speciale të tetë vendeve të Ballkanit. “Vijon stërvitja “Strong Balkan 23”. Me qëllim rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe aftësive të Forcave Speciale në rajonin e Ballkanit trupat po zhvillojnë taktika të përbashkëta, për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre në operacionet e vështira”, thekson Peleshi Stërvitja “Strong Balkan 23”, zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Në këtë stërvitje marrin pjesë Forcat Speciale nga 8 vende të Ballkanit. Nga kjo stërvitje Forcat Speciale do të përftojnë njëherësh rritje në nivelin profesional, aftësim taktik, operacional e strategjik, për të përballuar sfidat komplekse që paraqet sot mjedisi i sigurisë.