Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara drejt forcimit të sistemit të saj të mbrojtjes civile duke miratuar Strategjinë e re Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planin e Veprimit (2023-2030). Së bashku me Vlerësimin Kombëtar të Riskut, këto dokumente janë jetike për zbutjen, parandalimin, përgatitjen dhe reagimin mbrojtës nga fatkeqësitë në Shqipëri. Zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në partneritet me projektin RESEAL dhe financuar nga qeveritë e Suedisë dhe Portugalisë, zbatimi i këtyre dokumenteve do të forcojë kapacitetin e Shqipërisë për të menaxhuar, përballuar dhe zvogëluar risqet nga fatkeqësive natyrore. Strategjia, e cila është dokumenti i parë për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, i përgatitur nga Shqipëria, është në përputhje me kuadrin Sendai dhe udhëzimet e BE-së dhe merr parasysh ndikimin e ndryshimeve klimatike në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, me fokus të veçantë vajzat dhe gratë dhe grupet vulnerabël. Haki Çako, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë një takimi me përfaqësues ndërkombëtarë që kanë kontribuar në hartimin e kësaj strategjie, theksoi rëndësinë e këtyre dokumenteve kombëtare për ndërtimin e një Shqipërie më të sigurt dhe më elastike, si një anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. “Ne e njohim ndikimin shkatërrues që fatkeqësitë mund të kenë në komunitetet tona dhe po ndërmarrim hapa proaktivë për të zvogëluar rrezikun dhe për të mbrojtur qytetarët tanë”, tha ai. Petra Burcher, Shefja e Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim, në Shqipëri theksoi se, “kjo është një pjesë thelbësore e mbështetjes së Suedisë për Shqipërinë pas tërmetit 2019. Strategjia Kombëtare e DRR-së e miratuar tani dhe Plani i saj i Veprimit është një moment historik i rëndësishëm për të parandaluar fatkeqësitë dhe për të vazhduar përpjekjet për të forcuar menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë në Shqipëri.” Monica Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it, vuri në dukje rëndësinë e strategjisë dhe planit të veprimit. “Miratimi i strategjisë dhe planit të veprimit shënon një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sistemin kombëtar për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile. Ajo përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar në të gjitha nivelet për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë që do të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve dhe komuniteteve shqiptare nga efektet shkatërruese të fatkeqësive”, tha ajo. Strategjia Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe Plani i saj i Veprimit, Dokumenti Kombëtar i Vlerësimit të Rrezikut dhe përgatitja e vazhdueshme e Planit Kombëtar të Emergjencave Civile janë zhvilluar përmes një procesi të gjerë konsultimi. Miratimi i këtyre dokumenteve kombëtare strategjike dhe planifikuese të ZRRF-së tregon përkushtimin e Shqipërisë për të përmirësuar aftësinë e saj zbutëse, parandaluese, gatishmërie, reagimi dhe rikuperimi ndaj fatkeqësive. Ai shërben gjithashtu si shembull për vendet e tjera në rajon që përballen me efektet e fatkeqësive dhe ndryshimeve klimatike. ATSH