Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak nga Rusia për një anëtar të NATO-s, duke nënvizuar aftësitë e forcuara të mbrojtjes të aleancës. Në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ARD, Stoltenberg hodhi poshtë pretendimet se ”Rusia do të sulmonte një anëtar të aleancës nëse fitonte luftën në Ukrainë”. “Ne aktualisht nuk perceptojmë një kërcënim ushtarak kundër një aleati të NATO-s në të ardhmen e parashikueshme’’, theksoi ai, duke theksuar se ”NATO është forcuar ndjeshëm vitet e fundit dhe të gjitha vendet anëtare kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në mbrojtjen e tyre”. ”NATO është përshtatur me realitetin e ri që rezulton nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke njohur dhe përshtatur rrethanat e ndryshuara”, theksoi ai. ”Pres që Gjermania dhe të gjithë anëtarët e NATO-s të modernizojnë forcat e tyre të armatosura dhe t’i pajisin ato në përputhje me rrethanat.
Gjermania është aktualisht vendi me shpenzimet më të larta të mbrojtjes pas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi Stoltenberg. Stoltenberg theksoi kontributin e Gjermanisë në mbrojtjen kolektive të NATO-s dhe i kërkoi Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të shtojnë përpjekjet për të ndërtuar një mbrojtje të besueshme për të ardhmen. Duke vlerësuar ndikimin e mundshëm në NATO nëse ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump rizgjidhet, Stoltenberg shprehu besimin se ”Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleate e besueshme dhe besnike e NATO-s për arsye të ndryshme në përputhje me interesat e sigurisë”