Zjarret në të gjithë Turqinë perëndimore, me përmasat më të mëdha deri më tani këtë vit, plagosën 21 persona dhe detyruan rreth 4 000 banorë të evakuohen, thanë autoritetet.
Flakët u përhapën në pesë qytete dhe provinca, duke përfshirë qytetin e tretë më të madh të vendit, Izmirin, njoftoi transmetuesi shtetëror TRT.
“Flakët në Izmir, që vazhdojnë prej dy ditësh, kanë plagosur 21 persona”, njoftoi kryetari i bashkisë së Izmirit Cemil Tugay në X.
“Të plagosurit, duke përfshirë gjashtë zjarrfikës dhe një oficer policie, aktualisht po marrin trajtim”, tha Tugay.
“Nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm që zjarri në rrethin Karsiyaka të Izmirit të përhapet në qendrat e banuara”, shtoi ai.
“Një total prej 3 971 banorësh në katër provinca perëndimore, përfshirë Izmirin, u evakuuan në vend të sigurt”, njoftoi autoriteti i fatkeqësive në vend.
“Të premten në mbrëmje në Izmir, flakët nga një zjarr i egër u përhapën në një kompleks apartamentesh dhe një zonë industriale, duke shkaktuar panic”, raportoi transmetuesi shtetëror TRT.
“Gjatë natës, 17 shtëpi banimi u dogjën, 105 shtëpi dhe 44 vende pune u evakuuan në Izmir”, tha ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Ibrahim Yumaklı para gazetarëve në Izmir.
“Deri më tani, zjarri ka dëmtuar 1600 hektarë tokë në Izmir”, shtoi ministri Yumaklı.
“Ndërkohë gjashtë persona u arrestuan për sabotim të dyshuar në lidhje me zjarret, dy prej tyre në Izmir dhe katër në qytetin veriperëndimor të Bolu”, shtoi Yumaklı.
Turqia ka qenë duke luftuar me valën e të nxehtit gjatë verës, duke i bërë më të mundshme zjarret në të gjithë vendin.
Autoritetet qëndrojnë në gatishmëri deri në mes të shtatorit për shkak të kushteve të papritura të motit.