Ekuipazhi i “SOS Méditerranée’s Ocean Viking”, që vepron në Mesdheun qendror, tha se kishte shpëtuar pothuajse 470 migrantë pas disa misionesh në fundjavë. “Ata ishin të rraskapitur emocionalisht dhe fizikisht”, shkroi grupi i ndihmës në Twitter herët të dielën, duke shtuar se shumë prej tyre kishin dalë në det të hapur pa jelek shpëtimi. Mjekët pa Kufij, një tjetër grup i ndihmës raportoi se kishte shpëtuar 11 migrantë të cilët ishin vendosur në bordin e “Geo Barents”. Ndërkohë, një anije tjetër, “Humanity 1”, u nis dje nga Spanja për në Mesdheun qendror për misionin e saj të parë së bashku me një organizate gjermane të ndihmës, “SOS Humanity”. Organizata gjermane “Resqship” kishte shpëtuar afro 60 migrantë. Shumica e migrantëve ishin nisur nga brigjet e Afrikës së Veriut, nga Libia ose Tunizia, për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian nëpërmjet Mesdheut. Organizatat private të ndihmës vijnë rregullisht në zonë për të shpëtuar migrantët në det. Autoritetet italiane, shpesh i lejojnë migrantët të zbarkojnë në ishullin e vogël të Lampedusa, Siçili ose në kontinentin jugor. Italia po përgatitet për zgjedhjet e 25 shtatorit. Disa parti të krahut të djathtë kanë deklaruar në fushatën aktuale zgjedhore se do të ndalojnë ardhjen e migrantëve.https://ata.gov.al/2022/08/28/itali-anija-sos-mediterranee-shpeton-rreth-470-migrante-ne-mesdheun-qendror/