Fshati Luzi i Vogël i Kavajës dallohet për prodhimet e shumta bujqësore. Eduart Bagosi është një nga banorët e këtij fshati dhe ka 15 vite që merret me bujqësi. Vitin e shkuar ai vendosi që të prodhojë më shumë grurë, i nxitur edhe nga skema mbështetëse e qeverisë mbi kultivimin e grurit. Mbolli një sipërfaqe prej 40 ha, duke përfituar ulje në kostot e prodhimit dhe shpreson një prodhim prej 180 tonë grurë. Skema e grurit parashikonte një subvencion prej 30 mijë lekësh për hektar dhe solli si rezultat rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë në vendin tonë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bën të ditur se, përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas krahas masa të tjera mbështetëse, është një nga masat më të mirëpritura për fermerët, pasi i jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara. atsh