Dy sisteme fotovoltaike diellore u dorëzuan zyrtarisht në bashkinë e Shkodrës.
Ceremonia, në të cilën morën pjesë ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, përfaqësues të tjerë të bashkisë, si dhe qytetarë, shënoi një hap të rëndësishëm drejt zbatimit gjithnjë e më të madh të energjive të rinovueshme në bashkinë e Shkodrës.
Këto instalime, nga të cilat përfitojnë dy kopshte publike në Shkodër, janë shembull me ndikimin e dukshëm të zgjidhjeve për energjinë e qëndrueshme në komunitetet lokale. Kapaciteti i sistemeve fotovoltaike diellore të instaluara është 100 kWp duke kursyer kështu rreth 32,061 Euro çdo vit.
Këto janë dy, nga dhjetë sistemet fotovoltaike diellore të instaluara në godinat publike të Shkodrës, Dibrës, Klosit dhe Përmetit, me një kapacitet total prej 542 kWp, të cilat janë të përgatitura për të reduktuar në mënyrë të konsiderueshme emetimet e karbonit me një shumë prej rreth 20,000 tonë gjatë jetës së tyre 25-vjeçare, duke siguruar qasje në energji të pastër dhe të gjelbër për rreth 2,124 fëmijë, zyrtarë publikë dhe qytetarë.
Zbatuar në kontekstin e projektit “Transformimi i tregut për përshpejtimin e energjisë diellore fotovoltaike në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria e Japonisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë për Eficencën e Energjisë dheqeveritë lokale, ky projekt kishte si synim të shpejtonte tranzicionin e Shqipërisë drejt burimeve të energjisë rinovueshme.
Me një financim prej 859,000 USD nga Qeveria Japoneze, projekti ka mbështetur zbatimin e zotimeve të Shqipërisë në lidhje me Ndryshimet Klimatike të pajtueshme me Marrëveshjen e Parisit, duke përforcuar angazhimin e vendit për zhvillim të qëndrueshëm ndaj klimës.
Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, theksoi se “në qendër të këtij projekti është mbështetja për përpjekjet e Shqipërisë në dekarbonizim dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”.
“Ne shpresojmë që instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore në këtë bashki të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë përveç energjisë ujore në Shqipëri. Instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore gjithashtu do të kontribuojë në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri. Gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar (NDC). Në zbatimin e këtij projekti, Japonia organizoi një seminar të përbashkët me UNDP-në dhe përfaqësuesit e të kater bashkive te perfshira. Nëpërmjet këtij seminari mundëm të ndajmë përvojën dhe njohuritë tona në energjinë rinovueshme me miqtë tanë shqiptarë. Dua të shpreh mirënjohjen time për angazhimin e palëkundur të ekipit të UNDP-së dhe ekipit zbatues të bashkive gjatë gjithë procesit të këtij projekti”, u shpreh ajo.
Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, nënvizoi se “ky projekt është një kontribut i qëndrueshëm drejt zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar. Kjo do të parandalojë emetimin e mbi 20,000 ton të gazeve me efekt serë per gjatë jetëgjatësisë së ketyre impianteve, duke ju ofruar 2,000 njerëzve qasje të drejtpërdrejtë në energji diellore”.
“Jam mirënjohëse Qeverisë se Japonisë për partneritetin dhe mbështetjen e tyre të çmuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera nëpër botë, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme me zero-emetime. Qeveria e Japonisë është një partner i rëndësishëm i UNDP-së dhe luan një rol të rëndësishëm në përkthimin e zotimeve të klimës në veprime të prekshme në terren”, theksoi ajo.
Nëpërmjet mbështetjes së politikave të synuara, instalimeve pilot në ndërtesa bashkiake dhe nismave për zhvillimin e aftësive, projekti ka synuar promovimin e energjisë diellore si një nga burimet kryesore të energjisë rinovueshme përveç energjisë së ujit.