Kombëtarja shqiptare do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të enjten e 12 shtatorit në stadiumin ‘Air Albania’ ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.
Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo, doli paraditen e kësaj të shtune në një konferencë për media në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku foli për listën e 25 lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat kundër Çekisë fillimisht e më pas edhe për takimin ndaj Bullgarisë, miqësorja e planifikuar për t’u luajtur më 17 tetor po në stadiumin ‘Air Albania’.
Trajneri brazilian u shpreh i kënaqur me formën e mirë që po kalojnë kuqezinjtë me klubet e tyre dhe për grupin që ai ka në dispozicion për këto kualifikuese, ndërsa komentoi edhe Çekinë, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Për trajnerin tashmë vlen vetëm ndeshja ndaj Çekisë dhe kërkon që skuadra të ketë mentalitetin e duhur dhe të vendosë shpirtin dhe zemrën në fushë, duke dhënë 100% e tyre në çdo repart të fushës.
Silvinjo tregoi gjithashtu për gjendjen e Ardian Ismajlit, i cili u dëmtua në takimin me Empolin mbrëmjen e kaluar, arsyen se pse nuk është grumbulluar Amir Abrashit dhe rikthimin e Armando Brojës në radhët e kuqezinjve, i cili mungon që prej nëntorit të kaluar në Kombëtaren shqiptare.