Moratoriumi i gjuetisë, gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura, po dëshmojnë çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale në rubrikën “Shqipëria e bukur” foto të shqiponjës së malit. “Shqiponja e malit në Parkun Kombëtar të Prespës”, shkruan Rama. Shqiponja e malit ka gjatësi të trupit nga 66 deri në 102 centimetra me një hapje krahësh 180 deri 234 cm. Të rriturit e të dy gjinive kanë pendë të ngjashme dhe kryesisht janë kafe të errët, me ngjyrë të zbehur në pjesën e pendëve fluturuese dhe në bisht, dhe një ngjyrë të zbehtë, tipike të artë në pjesën e pasme të kurorës dhe zverkut që i jep species emrin e saj. Të rinjtë janë të ngjashëm me të rriturit, por kanë tendencë të jenë më të errët. Dy të tretat e gjatësisë së bishtit të tyre është e bardhë, duke përfunduar me një brez të gjerë dhe të zi. Të rinjtë kanë edhe njolla të bardha në pjesën e poshtme të krahut. Ato folezojnë kryesisht në formacione shkëmbore. Numri më i madh i shqiponjave të malit gjendet sot në rajone malore, si habitate të gjuetisë së tyre, në shkëmbinj në afërsi të zonave të hapura. Mbi 400 lloje të kurrizorëve janë regjistruar si pre e shqiponjave të malit. Grupi më i rëndësishëm i presë janë gjitarët (brejtësit, lepuri, dhelpra, dhia e egër). Pas gjitarëve, shpendët përbëjnë dietën e tyre kryesore, në veçanti thëllëzat. Po ashtu si pre përdor breshkat, gjarprinjtë etj. Shqiponja e vret prenë e saj duke e lëshuar mbi shkëmbinj nga lartësi të mëdha. Në kuadër të aktiviteteve monitoruese Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka vendosur kamerat kurth për të vëzhguar jetën e egër në zonat e mbrojtura. Zgjatja e moratoriumit deri në vitin 2025 ka si qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër.https://ata.gov.al/2022/09/23/shqiponja-e-malit-ne-parkun-kombetar-te-prespes/
Shqiponja e malit në Parkun Kombëtar të Prespës
RELATED ARTICLES