Në mesin e destinacioneve që ofrojnë mundësi tërheqëse për udhëtime me një buxhet ekonomik, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë.

Me plazhet e Rivierës Shqiptare, qytetet dhe sitet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, peizazhet natyrore dhe mikpritjen e njohur, vendi ofron mundësi të ndryshme për pushime dhe eksplorim me një raport të favorshëm mes kostos dhe cilësisë, shkruan Marie-Ève Leclerc në një artikull të botuar në median kanadeze të udhëtimeve “Milesopedia”.

Nga Meksika autentike deri te Shqipëria, e cila paraqitet si një prej destinacioneve më pak të eksploruara, autorja ka vizituar gjashte vende dhe ndan këshillat e saj për mënyrën se si ato mund të shijohen me kosto minimale, madje në disa raste edhe pa pagesë.

Në një kohë kur destinacionet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme, disa vende vazhdojnë të ofrojnë mundësi tërheqëse për turistët që përdorin dollarin kanadez.

Duke u mbështetur në përvojën e saj të udhëtimeve dhe qëndrimeve në vende ku kostoja e jetesës është më e ulët se në Kanada, autorja rekomandon disa destinacione ku mund të përjetohen eksperienca të paharrueshme me një raport të mirë cilësi–çmim.