Friday, November 22, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTShqipëria duhet të vijojë ëndrrën për pjesëmarrje në Botëror

Shqipëria duhet të vijojë ëndrrën për pjesëmarrje në Botëror

Botërori “Katar 2022” ka ngritur më në fund siparin dje me ceremoninë hapëse e më pas me ndeshjen e parë Katar-Ekuador, që përfundoi me fitoren 0-2 të miqve. Një event madhështor i ndjekur nga qindra-milionë njerëz nga e gjithë bota, ndërsa ndeshjet pritet të ofrojnë spektakël dhe emocione unike. I ftuar në ceremoninë hapëse ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në një intervistë për RTSH ka rrëfyer edhe përjetimet e tij nga ky event madhështor. Presidenti Duka është shprehur se shikon Brazilin si pretendent për të fituar trofeun, ndërsa shpreh bindjes se do të jetë një turne i gjithë për t’u shijuar. Gjithashtu, numri një i qeverisë së futbollit shqiptar beson se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë e të ëndërrojë me synimin për të siguruar pjesëmarrjen në një Botëror në të ardhmen, teksa flet edhe për mundësinë e organizimit të një tjetër eventi madhor në vendin tonë pas pritjes me sukses të finales së UEFA Conference League majin e kaluar. “Atmosfera në fakt në Katar është shumë e bukur, edhe ceremonia hapëse e Botërorit ishte shumë e bukur gjithashtu. Edhe eventi i zhvilluar një ditë para nisjes Fan Festival ishte diçka fantastike, me pjesëmarrjen e shumë tifozëve nga të gjitha vendet. Realizimi i ceremonisë së hapjes ishte perfekt, ndërsa ndeshja e parë u duk sikur nuk ishte në nivelin e duhur të Botërorit dhe shpresoj që ndeshjet e ardhshme të jenë akoma dhe më të bukura. Përveç se isha i ftuar në ceremoninë hapëse të Botërorit, ishim të ftuar edhe në samitin e FIFA-s, ku merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të FIFA-s, që u organizua pikërisht këtu në Katar. Do të shohim edhe një ndeshje dy ndeshje të tjera sot e nesër dhe më pas do të rikthehemi mbase në finalen e madhe”, tha ai. “Unë tifoz jam vetëm me Shqipërinë, nuk është se jam tifoz me ndonjë ekip tjetër. Simpati nga ekipet pjesëmarrëse kam për Brazilin, që së bashku me Argjentinën dhe katër skuadrat e mëdha të Europës janë gjithmonë pretendentë për të fituar Botërorin. Padyshim, këtë edicion Brazili është akoma dhe më mirë, pasi ka yje, ka një skuadër të mirë, të fortë fizikisht dhe teknikisht, kështu që mbetet një nga favoritët kryesorë për trofeun. Ajo që duhet të thyejë, jo vetëm Brazili, por e gjithë Amerika Latine, është disiplina europiane, sepse futbolli i Europës është më i disiplinuar se sa futbolli amerikano-latin. Shpeshherë kjo disiplina taktike fiton”, u shpreh Duka. Sa i takon kontestimeve dhe pritshmërive, Duka nënvizoi se, “koha e kontestimeve të Botërorit ka mbaruar. Është thënë pse duhet të bëhej në Katar, është vendi i vogël e shumë gjëra të tjera, nuk është në nivelin e duhur për të drejtat e njeriut, etj. Mendoj që tashmë është koha për ta shijuar Botërorin si një event që na vjen një herë në katër vjet dhe jam shumë i bindur që do të jetë krejt ndryshe nga ndeshja hapëse sa i përket nivelit sportiv, edhe ndeshjet që do të luhen sot do të jenë të nivelit shumë të mirë dhe na vazhdim do të kemi futboll të niveleve të larta, kompetitiv dhe mbi të gjitha në parametra të pëlqyeshëm për të gjithë fansat e futbollit apo ato që e ndjekin futbollin. Në fakt, finalet e Botërorit ndiqen nga të gjithë njerëzit”. Sa i përket klimës së Katarit, Duka tha se, “klima është normale, madje në mbrëmje është goxha fresk, ndërsa gjatë ditës temperatura është më e lartë. Ndoshta ndeshjet e ditës do të kenë një lloj vështirësie për shkak të temperaturës më të lartë, por mendoj që është klimë e pranueshme për futboll, sidomos për ndeshjet e darkës është shumë e pranueshme. Kushtet e stadiumeve janë perfekte, në shkallë është temperaturë e përshtatshme”. Lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Botëror, Duka u shpreh se, “ne duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë dhe ta kemi objektiv një pjesëmarrje në Botëror, megjithëse është një event i vështirë duke pasur parasysh se vetëm 13 skuadra nga Europa arrijnë në turin final, kështu që niveli i vështirësisë është shumë i lartë. Por gjithsesi kurrë mos thuaj kurrë dhe ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë dhe të pretendojmë mbase me një rritje të pritshme të numrit të skuadrave pjesëmarrëse, mbase mund të bëhet me 42 skuadra dhe me rritjen e nivelit të Kombëtares mbase mund të jemi një nga skuadrat pretendente”. Për ambiciet pas finales së Conference League, Duka tha se, “vetëm pak vite më parë ne kishim dhimbje koke se ku do të luanim ndeshjet tona ndërkombëtare, të klubeve apo të ekipit kombëtar në ndeshjet kualifikuese, dhe kaq shpejt arritëm të sillnim një finale të madhe evropiane në Tiranë, që për fatin tonë apo si rezultat i punës e mirëorganizimit të gjithë faktorëve në Shqipëri, shkoi gjithçka shumë mirë dhe ishte një ngjare shumë e bukur. Patjetër që ne do të vazhdojmë të mendojmë për aktivitete të tjera të rëndësishme në Shqipëri. Ajo që po mendojmë për momentin është më shumë se një finale Superkupe, do të aplikojmë për të pritur finalet e një Kampionati Evropian U-19 në Shqipëri, përderisa ne kemi tashmë të paktën 4 stadiume të licensuara në të cilat mund të luhen ndeshjet e këtyre niveleve”.https://ata.gov.al/2022/11/21/duka-shqiperia-duhet-te-vijoje-endrren-per-pjesemarrje-ne-boteror/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments